Pandemia e COVID-19 do të kujtohet gjithmonë si një periudhë e errët e shekullit 21 edhe për shkak të numrit të lartë të viktimave.

Në Britaninë e Madhe, një grup njerëzish në nder të personave që kanë humbur jetën nga COVID-19, po vizatojnë me dorë rreth 150 mijë zemra, në një mur përballë parlamentit britanik.

Murali pritet të shtrihet qindra metra përgjatë bregut jugor të lumit Thames jashtë spitalit Shën Thomas, në Londër.

Fushata është organizuar nga grupi “Covid-19 Bereaved Families For Justice UK” të cilët kanë bërë thirrje për një hetim publik mbi mënyrën sesi qeveria e ka trajtuar pandeminë.

“Çdo zemër është pikturuar me dorë dhe secila është krejtësisht unike, ashtu si të dashurit që kemi humbur”, tha Matt Fowler, bashkëthemelues i grupit.

“Ashtu si numri i personave që kanë humbur jetën nga COVID-19, edhe ky memorial do të jetë i madh”, shoti ai.

Qeveria britanike ka premtuar gjithashtu se kur pandemia të marrë fund do të ndërtojë një memorial të përhershëm në nder të viktimave nga COVID-19.

Britania e Madhe është një ndër vendet më të prekura sa i përket pandemisë së COVID-19.

Megjithëse tashmë është vaksinuar mbi gjysma e popullsisë dhe masat janë mjaft shtrënguese, sërish numri i infektimeve dhe viktimave mbetet i lartë.