Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka uruar 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Pas ngritjes solemne të flamurit, Osmani falënderoi të gjithë ata që dhanë jetën e sakrifikuan për një Kosovë të lirë.

Para mediave, ajo tha s’ka asgjë që e ndalë Kosovën e pavarur dhe sovrane për të ecur përpara.

“Është një ditë që ne ju themi faleminderit nga zemra, një falënderim të përhershëm për të gjithë ata që sakrifikuan dhe dhanë gjithçka në mënyrë që ne sot së bashku ta festojmë këtë ditë të shenjtë e historike. Duke filluar nga arkitekti i Pavarësisë sonë, presidenti historik, dhe komandanti legjendar Adem Jashari që udhëhoqi UÇK-në, e deri tek secili qytetarë i Republikës sonë që sakrifikoi me mundë e me gjak në mënyrë që sot të gëzohet kjo ditë. Edhe një herë në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës, faleminderit për kontributin e dhënë, do të ecim përpara sepse nuk ka asgjë që mund ta ndalë Republikën tonë të lirë, të pavarur, sovrane, dhe të përjetshme. Urime!”, tha Osmani.

Në 17-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një urim ka ardhur edhe nga kryministri i Kosovës Albin Kurti.

Ai tha se në këtë ditë duhet që të nderohen të gjithë ata që sakrifikuan për liri, ndërsa theksoi se sot Kosova është më e fortë se asnjëherë më parë.

‘Ne sot nderojmë të gjithë ata të cilët sakrifikuan edhe u flijuan për lirinë tonë. Liria për të cilën kemi sakrifikuar kërkon demokraci që mundëson të dëgjohet zëri i popullit . Demokracia kërkon institucione të sigurta. Republika jonë sot është më e fortë dhe vitale si kurrë me parë sepse forcuam institucionet demokratike dhe kemi ndërtuar institucionet tona që janë në shërbim të qytetarëve. Kemi ndërtuar shtet solidar për qytetarët”, tha Kurti.

Për shënimin e ditëlindjes së 17 të shtetit të Kosovës ekzekutivi ka organizuar një sërë aktivitetesh përfshirë homazhe e ngjarje kulturore.

17 vite më parë, në orën 15:39 në një seancë të Kuvendit të Kosovës u bë shpallja e pavarësisë së Kosovës. Në seancën historike morën pjesë 109 deputetë nga 120, të cilët e nënshkruan edhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm deputetët serbë.

Artikulli paraprakDËBORA NË QARKUN SHKODËR, AUTOMJETET NË ZONA MALORE TË LËVIZIN ME GOMA DIMËRORE
Artikulli tjetërBERISHA DEL NGA SPAK, KRYETARI I PD LEXON LETRËN QË LA NË AMBIENTET E PROKURORISË