18-vjeçari vritet nga vëllai 16 vjeç, u zunë për hekurat dhe kanaçet

Ka ndërruar jetë 18-vjecari nga Ferizaj, i cili të enjten pas një zënke u godit disa herë me thikë nga vëllai i tij 16- vjeçar. Familja e tyre të premten ka pritur vazhdimisht miq e dashamirë për ngushëllime, shkruan sot Koha Ditore. Babai i të ndjerit nuk ka dashur të flasë rreth kësaj ngjarjeje, mirëpo të afërmit e kësaj familjeje kanë treguar se dy vëllezërit paraprakisht ishin përleshur fizikisht në oborr të shtëpisë, ndërkaq më vonë të afërmit e kishin kuptuar se mes tyre kishte ndodhur diçka më e madhe. Kjo familje jetonte në kushte të rënda ekonomike, ndërkaq këta dy vëllezër kanë grumbulluar hekura dhe kanaçe nëpër rrugët e qytetit me një traktor të vogël për ta siguruar kafshatën e bukës për motrën e tyre të mitur, për vëllanë tjetër me sëmundje psikike dhe për babanë. Nëna ka kohë që u ka vdekur.