
Ndërsa jemi në ditët e fundit të vitit, shqetësimet për mungesën e bonusit të fundvitit për personat me aftësi të kufizuara vijojnë të shtohen. Kujtim Shelnishta, një i moshuar invalid, ka ngritur shqetësimin se ende nuk ka përfituar bonusin e premtuar nga qeveria, pavarësisht njoftimeve zyrtare nga Ministria përkatëse. Shelnisha tregon se prej ditësh shkon çdo ditë pranë postës për t’u interesuar mbi shpërblimin e fundvitit, por sipas tij, nuk ka marrë asnjë përgjigje konkrete apo sqarim mbi vonesën.
I moshuari thekson se bonusi i fundvitit është i domosdoshëm për të, pasi ai jeton vetëm me një pagesë mujore prej 110 mijë lekësh të vjetra, një shumë që e bën tepër të vështirë përballimin e shpenzimeve bazë të jetesës, veçanërisht në prag të festave.
52 vjeçari, i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të mundësojnë shpërndarjen e bonusit, në mënyrë që personat me aftësi të kufizuara të mos ndihen të harruar në prag të festave të fundvitit.
Këshilli i Ministrave miratoi bonusin e fundvitit prej 150 mijë lekësh për familjet në nevojë dhe invalidët. Megjithatë, ndërsa kanë mbetur edhe 2 ditë deri në ndërrimin e viteve, bonusi i fundvitit për këtë kategori ende nuk është shpërndarë, duke shkaktuar pakënaqësi tek përfituesit.






