Sot bëhen 20 vite që nga sulmet e 11 shtatorit në Amerikë dhe do të mbahet një përkujtimore në nder të 2,977 viktimave që humbën jetën nga ngjarja më e madhe terroriste në historinë e SHBA-ve.

Në një periudhë 20 vjeçare shenjat e 11 shtatorit ndihen ende të freskëta për popullin amerikan por edhe për mbarë globin. Sipas traditës tashmë 20-vje­çare, një minutë heshtje do të mbahet në kohën e saktë kur xhihadistët e Al-Kaidës sulmuan me dy aeroplanë, kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë.

Presidenti amerikan Joe Biden ka përkujtuar ngjarjen duke e lidhur me mesazhin e madh që ka marrë prej saj, unitetin.

“Ne nderojmë të gjithë ata që rrezikuan dhe dhanë jetën në minuta, orë, muaj dhe vite më pas. Pavarësisht se sa kohë ka kaluar, këto përkujtime kthejnë gjithçka me dhimbje sikur të keni marrë lajmin pak sekonda më parë”, shprehet Biden.

Ai pranoi “forcat më të errëta të natyrës njerëzore – frikën dhe zemërimin, pakënaqësinë dhe dhunën kundër muslimanëve amerikanë” të cilat pasuan sulmet, por tha se uniteti kishte mbetur ‘forca më e madhe’ e SHBA.

“Ne mësuam se uniteti është e vetmja gjë që nuk duhet të prishet kurrë,” shtoi ai.

Kryeministri britanik Boris Johnson tha ndërkohë se sulmet kishin dështuar “të trondisnin besimin tonë në liri dhe demokraci”. Mes të vdekurve në sulmet e 11 shtatorit ishin 67 britanikë.