Policia shqiptare në bashkëpunim me FRONTEX, kanë bërë të mundur parandalimin e kalimit në mënyrë të paligjshme të disa shtetasve sirianë, ku një 44-vjeçar është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, e kryer në bashkëpunim”.

Nga Hetimi i Trafiqeve dhe Narkotikëve, mësohet se i arrestuari me iniciale R.G banues në fshatin Veliten, Maliq, do të bënte transportimin e shtetasve të huaj kundrejt pagesës prej 200 eurosh për secilin prej tyre.

Për me tepër, mësohet se personi në fjalë bashkëpunonte edhe me dy persona të tjerë për transportimin e njerëzve përtej kufirit. Në përfundim të veprimeve hetimore, policia ka shpallur në kërkim një person me iniciale E.B, banues në Durrës, gjithashtu dhe L.L, banues në fshatin Veliten, Maliq, po procedohet në gjendje të lirë.

I arrestuari është kapur teksa priste në fushat e fshatit Bularat, Dropull disa shtetas sirianë për t’i transportuar në drejtim të Tiranës.