Këto janë pamjet e orës 9:30 minuta të së premtes pranë varrezave të dëshmorëve në Shkodër.

Vetëm 30 minuta para se të niste ceremonia e homazheve dhe vendosja e kurorave pranë bustit te ushtarit të panjohur, grumbuj me mbetje digjeshin në breg të lumit Kir. Një situatë kjo që pavarësisht se vijon prej vitesh, institucionet kanë zgjedhur të heshtin. Materialet ineterte të hedhura fare pranë varrezave pothuajse kanë bllokuar rrugën. Paradoksi i përsëritur prej kohësh qëndron në faktin se e gjithë hapësira përreth varrezave nuk i ngjan më një vendi të vërtëtë nderimi, por është kthyer në vend depozitimi për mbetjet.  

Djegia dhe materialet inerte jo vetëm që po rrezikojnë shendetin e mijëra banorëve të lagjes 3 Heronjtë, por nga ana tjetër po dëmtojnë vazhdimisht shtratin e Lumit Kir. Për këtë situatë disa herë janë shprehur përfaqësues të Bashkisë Shkodër, por edhe Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit. Megjithatë vitet kanë treguar se këto dy institucione janë të pafuqishme për të menaxhuar situatën, ose në rastin më të keq e kanë neglizhuar atë. Mirëmbajtja e varrezave të dëshmorëve nga ana tjetër paraqet shumë mangësi. Për kujdesjen e pjesshme të tyre, institucionet kujdesen vetëm në prag të 5 majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut.