Që nga fillimviti i ardhshëm, qyteti i Pukës pritet të kthehet në një nga destinacionet kryesore turistike për ushtrimin e sportit të skive gjatë dimrit.

Të paktën kështu deklaron përfaqësuesi i federatës në këtë qytet Përparim Laçi, sipas të cilit USAID ka miratuar blerjen e një pajisjeje për prodhimin artificial të bores. Sipas Laçit, angazhimi i bashkisë për ngritjen e një teleferiku do të zhvillonte akoma më tej turizmin, por që do të sillte të ardhura edhe në qeverisjen vendore. Lartësia mesatare 787 metër mbi nivelin e detit e bën Pukën një nga qytetet më të përshtatshmë për ushtrimin e turizmit të bardhë. Para viteve ’90, qyteti i Pukës ka pasur edhe grupin profesionist të skijatorëve, traditë e cila po përpiqet të rimëkëmbet nga sipërmarrësit e zonës.