Pas 5 humbjeve radhazi, Partizani shijon më në fund një fitore, buzëqesh vetëm Eraldo Çinari pasi për të kjo ishte sfida më e bukur e sezonit në aspektin persona, një poker golash që mbajnë firmën e shkodranit. Në radhët e ekipit kryeqytetas kanë shumë pak arsye për të festuar, ky sukses nuk i nxjerr aspak nga kriza e as nuk i fut në garë për një vend në europë por çdo rezultat tjetër do të ishte një zhgënjim i madh. Në çdo rast tjetër një fitore në shifrat të tilla 8-1 do të konsiderohej si një termet i kuq por kjo ishte një fitore e ekzagjeruar përballë një rivali që si rrallë herë këtë sezoni doli shumë shpejt nga gara. Sormani hodhi sërish një formacion ndryshe dhe sërish la në stol kapitenin Alban Hoxha duke thelluar edhe më shumë krisjen mes palëve duke e bërë largimin e tij në fund të sezonit të sigurt.

9 minuta lojë i mjaftuan Partizanit për të kaluar në avantazh. Eraldo Çinari mori një top të bukur në zonë nga Lorenc Trashi dhe me një goditje të thatë dërgoi topin në rrjetë. Sulmuesi shkodran përsëriti sërish veten pak minuta më vonë, këtë herë më një goditje të bukur në kufijtë e zonës së rreptësisë duke shënuar dhe golin e dytë. Në minutën e 30-të të kuqtë realizuan të tretin duke mbyllur praktikisht llogaritë me Luftëtarin. Për të ndezur dhe një herë këtë sfidë mendoi Griseld Lika i cili realizoi një gol fantastik nga goditja e dënimit duke ngushtuar diferencat në 3-1 por vetëm kaq pasi në limitet e kohës së rregullt, në fundin e pjesës së parë, Çinari realizoi golin e tretë personal dhe të katërtin për Partizanin.

Pjesa e dytë ishte thjeshtë një seancë e plotë stërvitore dhe një banket golash të servirur në çdo formë. Në minutën e 68-të, Çinari realizoi golin e katërt personal dhe të pestin për Partizanin ndërsa Cara dhe Solomon realizojnë dhe dy herë të tjera brenda një minute duke dërguar shifrat në 7-1. Në shtesë, Cara nga pika e bardhë e penalltisë sigloi shifrat përfundimtare në 8-1.