25 viktima, 650 të lënduar, 47 të shpëtuar dhe disa të humbur nën rrënoja! Është ky bilanci tragjik i tërmetit të së martës (26.11.2019) në orën 03:54, 6.4 ballë me epiqendër 10 kilometra nga Durrësi dhe 31 kilometra nga Tirana.
Forcat e Armatosura, Zjarrfikëset, Policia e Shtetit, Emergjencat Civile në bashkëpunim me grupet e ardhura nga vendet mike, vijojnë kontrollet mes rrënojave të cilët janë përqendruar në tre zona: Këneta në Durrës, te pallati gjashtë katësh afër kryqit të kuq dhe te Vila Palma po në Durrës, ndërkohë raportohet se janë ndërprerë kërkimet në Thumanë.
Prej orës 03:54 të mëngjesit të së martës kur u godit nga një tërmet i fuqishëm 6.4 ballë me intensitet të ndjeshmërisë 8 ballë dhe që zgjati deri në 30 sekonda, vendi është në agoni, lot e trishtim, me shpresë dhe lutje për të mos rritur bilancin e jetëve të humbura
dhe për të pasur sa më shumë të shpëtuar nga personat që po lëngojnë nën rrënoja. Shqipëria është me sytë nga Thumana aty ku janë shënuar dëmet më të mëdha dhe ku tre pallate janë shembur.