Këshilli i Myftinisë Shkodër dhe Myftiu, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilluan një vizitë në shtëpinë e familjes Myftija, në lagjen Tabakë, bri xhamisë së Plumbit.
Me rastin e kësaj vizite, në pozitën e mikpritësit, H.Mithat Myftija, shprehu kënaqësinë e tij dhe të familjes Myftija, për këtë nderim të Myftinisë Shkodër, në prag të përkujtimit të 25 vjetorit të rihapjes së xhamisë së Plumbit. z. Myftija theksoi se kjo vizitë ka një domethënie të madhe për të, vëllezërit dhe familjen e tyre, pasi 25 vite më parë, në këtë shtëpi hyri Hafiz Sabri Koçi, në prag të asaj dite të madhe e të paharrueshme të 16 nëntorit 1990. Gjatë kësaj vizite, u sollën në kujtesë momentet e para të përgatitjes së xhamisë së Plumbit për ceremoninë e madhështore të datës 16 nëntor 1990, vështirësitë, pengesat, angazhimin e qytetarëve dhe tubimin e tyre, deri në momentin kulminant, që u pasua me tubime e takime të vazhdueshme në këtë shtëpi. Nga ana e tij, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, vlerësoi këtë vizitë si pjesë e programit të përkujtimit të 25 vjetorit të rihapjes së xhamisë Plumbit, si dhe si një vlerësim për familjen Myftija, por edhe për të gjithë ata, që iu bashkuan punës për përgatitjen dhe finalizimin e ceremonisë së 16 nëntorit. Me këtë rast, Myftiu i dorëzoi z. Mithat Myftija, një pllakatë mirënjohjeje të Myftinisë Shkodër për familjen Myftija, në nderin dhe respekt të përkushtimit dhe angazhimit me rimëkëmbjen e xhamisë së Plumbit. E pranishme në këtë vizitë ishte edhe znj. Voltana Ademi, Kryetare e Bashkisë Shkodër, e cila shprehu vlerësimet dhe respektin e saj për familjen Myftija dhe ngjarjen e shënuar të rihapjes së xhamisë së Plumbit, 25 vite më parë.