25 vjetori i mbajtjes së meshës së parë në varrezat e Kishës Katolike në Shkodër, pas viteve ’90-të, është kujtuar edhe nga kryetari i opozitës Lulzim Basha.   Me anë të një statusi në faqen e tij në Facebook, Basha thotë se 25 vjet më parë në Shqipëri u rikthye e drejta e shprehjes, ku mesha e Dom Simonit u dha zemër të gjithë shqiptarëve që guxuan të shprehnin adhurimin ndaj Zotit.   “Si sot 25 vjet më parë, në Shqipëri u rikthye e drejta e shprehjes dhe liria e ndërgjegjes, me një akt historik të kurajos civile të Dom Simon Jubanit, me meshën që mbajti në varrezat e Shkodrës.

Mesha e Dom Simon Jubanit i dha zemër të gjithë besimtarëve të Zotit dhe ishte një goditje në zemrën e regjimit komunist që i kishte privuar qytetarët nga liritë e të drejtat themelore. Pas kalvarit të terrorit dhe burgosjes të mijërave që guxuan të shprehnin adhurimin ndaj Zotit, mesha e 5 nëntorit rihapi për shqiptarët rrugën e lirisë së besimit, lirisë së shprehjes dhe lirive politike,” shkruan Basha.   Kreu i PD-së ka shprehur respektin për Dom Simon Jubanin dhe veprën e tij. “Nderim të përjetshëm për Dom Simon Jubanin dhe veprën e tij. Nderim për klerin shqiptar të të gjitha besimeve që mbajti të ndezur flakën e besimit në Zot,” përfundon Basha statusin e tij.