Situata e zjarreve në vend vijon të jetë problematike, me 27 vatra të raportuara gjatë 24 orëve të fundit. Tre prej tyre mbeten aktive, ndërsa vëmendja kryesore është përqendruar në qarkun Dibër, ku flakët kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme pyjore. Në Vajkal të Bulqizës, zjarri ka përshkuar mbi 18 hektarë, ndërsa operacioni i shuarjes vijon me forcat zjarrfikëse, strukturat e bashkisë dhe Forcat e Armatosura.

Problematike paraqitet situata edhe në Lundre dhe Mallunxë të Matit. Në Lundre, zjarri vijon në një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, ndërsa në Mallunxë era e fortë ka favorizuar riaktivizimin dhe përhapjen e flakëve në drejtim të fshatrave Mallunxë dhe Lis.

Edhe në zonën Dajt–Qafë Priskë vijon ndërhyrja, por sipas autoriteteve aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nga ora 09:00 e 2 shtatorit deri në orën 09:00 të 3 shtatorit janë raportuar 27 vatra zjarri. Tre mbeten aktive, ndërsa katër janë nën mbikëqyrje.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 292 forca operacionale dhe 26 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur ndërhyrjet me 80 efektivë dhe tre helikopterë. Përveç vatrave aktive në Dibër, nën mbikëqyrje vijojnë edhe zjarret në Qafën e Lugut–Vithkuq, malin e Qukësit–Prrenjas dhe Iballë–Fushë-Arrëz.

Në Iballë, terreni i vështirë ka kërkuar edhe ndërhyrje nga ajri gjatë ditës së djeshme. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile. Forcat në terren mbeten në gatishmëri për ndërhyrje në zonat ku situata kërkon angazhim të mëtejshëm, me prioritet mbrojtjen e banorëve, banesave dhe mjedisit.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakOKB JEP ALARMIN PËR EL NIÑO-N E FUQISHËM: THATËSIRA, PËRMBYTJE DHE TAJFUNË, JA ÇFARË PRITET NË MUAJT E ARDHSHËM
Artikulli tjetërMBLEDHJA ME GRUPIN E MINISTRAT, RAMA RENDIT 3 ‘PLAGËT’ E SHTETIT: ADMINISTRATA LABIRINT, MUNGESA E MEMORIES DHE BINDJA SE NJOHJA VLEN MË SHUMË SE MERITA