Policia e Shtetit njofton se gjatë muajit qershor dhe dy javëve të para të korrikut janë arrestuar ose proceduar penalisht 29 persona të dyshuar si autorë të zjarrvënieve në zona të ndryshme të vendit. Sipas policisë, vijojnë kontrollet në terren dhe hetimet për parandalimin e zjarreve, si dhe për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë dy shtetas dhe është proceduar penalisht një tjetër për tre raste zjarrvënieje në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër.

Në Kavajë u arrestua një 51-vjeçar, pasi zjarri i ndezur në tokën e tij u përhap duke djegur kullota dhe rreth 300 pemë agrumesh e ullinjsh. Në Vorë u vu në pranga një 43-vjeçar, pasi zjarri që dyshohet se shkaktoi dogji një sipërfaqe toke të mbjellë me dru frutorë. Ndërsa në Mallakastër nisi procedimi penal ndaj një 39-vjeçari, pasi gjatë tërheqjes së një automjeti me karrotrec u krijuan shkëndija elektrike që shkaktuan zjarr, duke djegur dhjetëra pemë arre.

Policia e Shtetit u bën apel qytetarëve, fermerëve dhe pronarëve të tokave që të mos ndezin zjarr në asnjë rrethanë dhe të shmangin djegien e mbeturinave në toka bujqësore apo kullota, pasi kjo praktikë përbën vepër penale dhe rrezikon jetën, pronën dhe mjedisin. Gjithashtu, policia fton qytetarët të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje, duke garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakSEZONI VEROR SJELL TRAFIK NË HYRJE TË QYTETIT
Artikulli tjetërVLLAZNIA PREZANTON SULMUESIN NGA VENEZUELA