3 punonjës të legalizimeve në Shkodër dyshohen se kanë dhënë një leje legalizimi në kundërshtim me ligjet në fuqi. Mes tyre është edhe vetë drejtori i ALUIZNIT në Shkodër Ardian Dodani ipër të cilin ka nisur një procedim në gjendje të lirë.

Kjo konfirmohet nga drejtoria rajonale e policisë Shkodër përmes një njoftimi zyrtar për shtyp. Bashkë me Ardian Dodanin që është drejtor i legalizimeve ka nisur procedimi penal edhe për shefen e sektorit të legalizimeve Erleta Bala vjec 26 dhe po ashtu edhe për Ilira Shqarri, shefe në sektorin në sektorin e hartografisë. Të tre drejtuesit e ALUIZNIT sipas policisë së Shkodrës po ndiqen në gjendje të lirë sepse dyshohet se në kundërshtim me ligjin kanë miratuar për legalizim një objekt informal në lagjen “Partizani” në qytetin e Shkodrës i cili po sipas policisë nuk plotësonte kushtet ligjore për legalizim. Ende asgjë nuk është vërtetuar ndërsa tre drejtuesit po ndiqen penalisht në gjendje të lirë me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Legalizimet janë një prej sektorëve më të diskutuar duke qenë se numri i ndërtimeve informale është i lartë edhe në qytetin e Shkodrës e po ashtu edhe kërkesat për leje legalizimi ndër gjithë këto vite janë të mëdha. ALUIZNI si drejtori bashkë me hipotekën dhe disa drejtori të tjera morën kritika të forta edhe nga i deleguari nga qendra e PS Ditmir Bushati duke u nisur nga ankesat që kanë bërë vetë qytetarët. Gjithsesi duhet pritur se si do të shkojnë hetimet deri në fund për tre zyrtarët e lartë të legalizimeve në Shkodër, drejtorin Dodani dhe dy shefet e hartografisë dhe legalizimeve Erleta Bala dhe Ilira Shqarri.