
Kur kane kaluar me shumë se tre vite nga zhdukja e bujshme e bosit te lojrave te fatit Ervis Martinajt, babai i tij, Mustafa Martinaj, i është drejtuar zyrtarisht Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Lezhë, duke kërkuar shpalljen e të birit si person të zhdukur.
Në kërkesën e paraqitur, thuhet se:
“Shtetasi Mustafa Martinaj kërkon pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë shpalljen të zhdukur të shtetasit Ervis Martinaj, i datëlindjes 6.10.1982, lindur në Burrel dhe banues në Fushë-Kuqe, Patok, Kurbin.”
Çështja pritet të shqyrtohet në ditët në vijim, pasi sipas Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, një person mund të shpallet i zhdukur me vendim gjykate nëse mungon nga vendbanimi i tij dhe nuk ka pasur asnjë lajm për të për më shumë se dy vite.Nëse pranohet kërkesa, Vendimi i gjykatës, do të publikohet në Fletoren Zyrtare dhe do t’i dërgohet për regjistrim zyrës përkatëse të gjendjes civile.Ervis Martinaj, një emër i njohur i botës së krimit në Shqipëri, ishte në kërkim me urdhër të SPAK në momentin kur humbi kontaktet me familjarët në gusht të vitit 2022. Pavarësisht hetimeve të kryera nga prokuroria, fati i tij mbetet mister.







