Presidenti i Egjiptit Abdul Fattah al-Sisi është zotuar se do ti përgjigjet me forcën më të madhe sulmit terrorist në një xhami ku mbetën të vdekur 300 besimtarë myslimanë.

Xhamia Al-Rawda u bombardua mesditën e së premtes gjatë lutjes, ndërsa besimtarët të cilët arritën të dilnin gjallë nga xhamia u vranë me armë nga persona të armatosur. Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin Bir al-Abed dhe asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit terrorist me më shumë vdekje që historia kujton. Ushtria egjiptiane u shpreh se ka kryer sulme ajrore mbi terroristët në përgjigje të sulmit.

Forcat e sigurisë në Egjip për vite kanë luftuar më një kryengritje islamike në në gadishullin Sinai dhe militantët e lidhur me të ashtuquajturin Shtetin Islamik (ISIS) kanë qenë pas një sërë sulmesh vdekjeprurëse në rajonin e shkretëtirës. Ata zakonisht synojnë forcat e sigurisë si edhe kishat e krishtera dhe sulmi i përgjakshëm në një xhami të lidhur me muslimanët sufistë ka tronditur Egjiptin.

“Ajo që po ndodh është një përpjekje për të na ndaluar nga përpjekjet tona në luftën kundër terrorizmit,”- tha Sisi, në një transmetim televiziv, pak orë pas sulmit. “Forcat e armatosura dhe policia do të hakmerren për martirët tanë dhe do të rivendosin sigurinë dhe stabilitetin me forcën më të madhe.”