
Sot shënohen 35 vite nga Mesha e Parë e mbajtur në Shkodër, më 4 nëntor 1990, nga Dom Simon Jubani, ngjarje që shënoi fundin e heshtjes fetare dhe fillimin e rënies së regjimit komunist në Shqipëri.
Kisha Katolike në Shqipëri dhe Kryedioqeza Shkodër-Pult përkujtojnë këtë ditë të shënuar në historinë e vendit si një simbol të besimit, guximit dhe lirisë shpirtërore. Ngjarja lidhet edhe me vigjiljen e festës së Martirëve të Kishës Katolike, të shpallur të Lum më 5 nëntor 2016 në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër.
Më 4 nëntor 1990, në varrezat katolike të Rrmajit, Dom Simon Jubani kremtoi Meshën e parë publike pas 23 vitesh ndalese të fesë. Ajo meshë e improvizuar, në kushte të fshehta, u kthye në një akt të hapur sfide ndaj terrorit të diktaturës dhe në një shpërthim të lirisë fetare në vend.
Dom Simon Jubani, prift i njohur shkodran, kishte kaluar vite të tëra në burgjet komuniste, duke u bërë simbol i qëndresës dhe besnikërisë ndaj vlerave shpirtërore, kulturore dhe kombëtare. Ai nuk u përkul kurrë përballë dhunës dhe persekutimeve, duke dëshmuar se besimi mund të mbijetojë edhe në errësirën më të thellë.
Vetëm një javë më pas, më 11 nëntor 1990, në të njëjtin vend u mbajt një tjetër meshë, ku morën pjesë mbi 50 mijë qytetarë nga Shkodra dhe qytete të tjera të vendit, duke e kthyer atë ditë në një manifestim të hapur të lirisë dhe bashkimit.
Mesha e Dom Simon Jubanit shënoi fillimin e rihapjes së kishave dhe xhamive në Shqipëri, në një kohë kur komunizmi ende nuk ishte rrëzuar plotësisht.
Një ngjarje që mbetet e gdhendur në kujtesën e vendit si çasti kur drita e besimit mposhti errësirën e frikës dhe terrorit komunist.






