Pa u bërë katër orë nga shpërthimi i parë me tritol në banesën e policit Prelë Milani, Shkodra u trondit për herë të dytë me një tjetër ngjarje të njëjtë.

Shpërthimi i dytë me tritol, pak orë më pas ndodhi në fshatin Grudë e Re të njësisë Rrethina tek banesa e shtetasit Kolë Bungaja. Familja Bungaja sipas burimeve ndodhej në gjumë kur ka ndodhur rreth orës 1:30 minuta ndërsa shpërthimi është dëgjuar deri në qytetin e Shkodrës. Lënda plasëse edhe në këtë rast dyshohet se është tritol.

Nga ky shpërthim nuk ka të lënduar në njerëz ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Pavarësisht kësaj anëtarët e familjes Bungaja që ndodheshin brenda dhe po flinin gjumë në atë orë janë zgjuar të frikësuar pas shpërthimit të fuqishëm dhe janë trembur kur kanë parë se çfarë kishte ndodhur.

Sasia e tritolit është hedhur në portën hyrëse në një banesë që ndodhet në afërsi të shinave të trenit pa shumë ndërtesa të tjera rreth saj. Pasi kanë hedhur sasinë e tritolit autorët janë larguar me shpejtësi dhe nuk e kanë patur të vështirë të ndihmuar edhe nga errësira totale në atë orë në rrugën e fshatit por edhe normalisht mungesa e lëvizjes së njerëzve.

Menjëherë familja Bungaja pasi ka parë këtë shpërthim të fuqishëm ka njoftuar policinë vendore të Shkodrës. Efektivët kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur menjëherë hetimet përmes grupit të ekspertizës.

Familja Bungaja nuk ka një dyshim përse ka ndodhur kjo ngjarje e rëndë ndërsa kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me persona të tjerë dhe asnjë lloj problemi tjetër ndaj kanë mbetur të çuditur për këtë shpërthim me tritol në banesën e tyre.

Pavarësisht deklarimeve të familjes Bungaja edhe kjo ngjarje e dytë e ndodhur në Shkodër ngjan si një sinjal kërcënues për këtë familje edhe pse ende nuk dihen arsyet e vendosjes së tritolit.

Policia nuk ka autor të dyshuar as për këtë ngjarje të dytë ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e tyre edhe pse mbetet e vështirë duke parë errësirën dhe mungesën total të informacionit për rrugën që kanë ndjekur autorët pas largimit me shpejtësi në drejtim të paditur.

Brenda një nate policia e Shkodrës dhe ekspertët u ndanë në dy grupe për shkak të dy ngjarjeve të ndodhura brenda 4 orëve, tritolit tek polici Prelë Milani në Zooteknikë e më pas tritolit tek banesa e shtetasit Kolë Bungaja në Grudë të Re.

Tashmë ngjarjet e vendosjes së tritolit po kthehen në një shqetësim e aq më tepër zbulimi i autorëve në këto raste.