
Pas proçedurave ne qendren pritese ne Shengjin, 40 emigrantet te cilet mberriten pasditen e se premtes me anijen “Libra” te Marines Italiane, u transferuan ne Kampin e Gjadrit. Në zbatim të marrëveshjes së nënshkruar mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare, emigrantët u transportuan me autobus nën masa të rrepta sigurie drejt kampit të përkohshëm të Gjadrit, ku do të qëndrojnë për një periudhë deri në 18 muaj, përpara riatdhesimit të tyre në vendet e origjinës.
Kjo lëvizje vjen si pjesë e zbatimit të dekretit të miratuar nga qeveria italiane e drejtuar nga kryeministrja Giorgia Meloni, i cili parashikon që emigrantët e paligjshëm të ndaluar në ujërat italiane dhe që nuk përfitojnë statusin e azilantit, të transferohen në qendra pritjeje jashtë territorit italian, konkretisht në Shqipëri. Kampi i Gjadrit, i përshtatur për këtë qëllim, është një nga dy qendrat e ngritura në territorin shqiptar për pritjen dhe sistemimin e emigrantëve të refuzuar nga Italia. Gjatë qëndrimit të tyre në kamp, emigrantët do të kalojnë përmes procedurave administrative për verifikimin e identitetit dhe përgatitjen për riatdhesim, në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe ato shqiptare.
Transporti dhe shoqërimi i tyre u realizua nën mbikëqyrjen e policisë, ndërkohë që autoritetet shqiptare janë angazhuar të garantojnë standardet e sigurisë dhe respektimin e të drejtave bazë të emigrantëve gjatë gjithë periudhës së qëndrimit të tyre në Shqipëri.
Fillimisht, kampi i Gjadrit ishte konceptuar për të strehuar përkohësisht azilkërkuesit e shpëtuar në det nga anijet italiane, për një periudhë deri në 28 ditë. Por me dekretin e ri, ajo do të shërbejë edhe si qendër ndalimi për emigrantët që nuk kanë më të drejtë azili dhe janë në pritje të kthimit në vendet e tyre. Ky është kontigjenti i katert i emigranteve që mbërrijnë në Shqipëri përmes portit të Shëngjinit. Në tre rastet e para emigrantet azilkerkues të kapur në det u rikthyen në Itali, pasi ndalimi i tyre u konsiderua i paligjshem nga Gjykatat Italiane, duke detyruar Qeverinë Meloni që të miratoi një dekret të ri që kampi i Gjadrit në të cilin janë investuar miliona euro të bëhet funksional.