Mbi 4800 banorë në fshatrat Bardhaj, Bleran dhe Bardhanjor në njësinë administrative Rrethina prej 25 vitesh detyrohen ta blejnë ujin e pijshëm, pasi ujësjellësi është dëmtuar dhe nuk funksionon.

Ujin për përdorim të përditshëm, një pjesë e banorëve e kanë siguruar, por janë të shumtë ata që duhet ta transportojnë me mjete. Shpresa e vetme e banorëve janë ndërhyrjet gjatë fushatave elektorale. E njëjtë është situata edhe në fshatin Grudë e Re. Zona që më së shumti vuan mungesën e ujit të pijshëm është lagjja e pallateve.

Puset që janë hapur në këtë zonë janë të pakta, ndërsa qindra banorë detyrohen që të krijojnë rezerva uji gjatë ditëve me shi. Në stinën e verës, situata bëhet akoma më e vështirë. Ujin për përdorim të përditshëm e transportojnë me mjete rrethanore, ndërsa ujin e pijshëm detyrohen ta blejnë. Sipas banorëve, e gjithë kjo ka ndodhur pas viteve ’90, ku pjesa më e madhe e tubacioneve të ujësjellësit u dëmtuan ose u vodhën. Që nga ajo kohë nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për t’i kthyer ujin e pijshëm kësaj zone që vetëm 1 km e ndan nga qytetit i Shkodrës.

Artikulli paraprak18 SHKURTI, PD SHKODËR FTON QYTETARËT
Artikulli tjetërALUIZNI, 200 LEJE NË MUAJ, VËMENDJE ZONAVE INFORMALE