Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSh) ka publikuar sot zyrtarisht emrat e sportistëve që do të na përfaqësojnë në Olimpiadën e Brazilit këtë verë.

E para, që është njëkohësisht edhe flamurtarja e delegacionit tonë, do të jetë atletja Luiza Gega, e cila do të marrë pjesë në garat e 800 dhe 1500 metrave. Nga atletika shqiptare në Rio do të jetë edhe sportisti i kërcimit së gjati: Izmir Smajlaj. Në not është sportisti ynë Sidni Hoxha i cili do të garojë në dy disiplina, në 50 dhe 100 metra stil i lirë. Nga noti shqiptar do të ketë edhe një debutues në Olimpiadë. Ajo është 18-vjeçarja Nikol Merizaj, e cila do të garojë në garën e 100 metrave stil i lirë. Për herë të parë pas shumë vitesh, peshëngritja, sporti ynë më elitar dhe me më shumë medalje e skandale kohët e fundit, ka mundur të sigurojë vetëm një ftesë pas dështimit të arritjes së pikëve për kualifikim. Sportisti që do të shkojë në Rio de Zhaneiro për të përfaqësuar peshëngritjen tonë do të jetë Briken Calja, i peshës 69 kg.