Kisha katolike në Shkodër kujtoi gjatë së hënës 6 shkurtin e viti 1967, datë kur Shqipëria u shpall vendi i parë ateist në botë.

Procesioni ishte parashikuar të niste pranë varrezave të Rrmajit, aty ku u pushkatuan disa prej martirëve të kishës, por si pasojë e reshjeve të shiut u mbajt Udha e Kryqit me dëshmitë e martirëve në Katedralen e Shën Shtjefnit. Gjatë meshës së shenjtë, Ipeshkvi i Shkodrës Imzot Angelo Massafra foli për dëmet e shkaktuara nga mbyllja e objekteve të kultit. Gjatë meshës, Massafra foli edhe për rrezikun e braktisjes së fesë, pasi sipas tij shoqëria po jepet gjithnjë e më tepër pas materializmit. Massafra përsëriti edhe thirrjen për dorëzimin e armëve, teksa tha se shteti duhet të mbrojë më tepër shtetasit e tij. Gjatë dy dekadave të para të regjimit komunist, kleri pësoi persekutimin më të egër në historinë e shtetit shqiptar. Por regjimi nuk u ndal me aq, pasi në shkurtin e vitit 1967, frymëzoi rininë komuniste për të shkatërruar kisha e xhami deri në zhdukjen e çdo shenje që i përkiste besimit. Kushtetuta e datës 28 dhjetor 1976 e fuqizoi zyrtarisht vendimin për shpalljen e Shqipërisë shtet ateist. Vetëm në nëntorin e 1990-s besimi do të hapej sërish.

Artikulli paraprakSHOQATA E INVALIDËVE KËRKON SHTESAT E PAGESAVE
Artikulli tjetërRRUGA E DRAÇINIT TOTALISHT E AMORTIZUAR