
Pesë dekada më parë, më 16 shtator 1976, regjimi komunist i mori lirinë, por jo besimin.
Gasper Jubani, meshtar dhe dëshmitar i fesë, u burgos në një prej periudhave më të vështira për klerin katolik shqiptar.
50 vite më pas, Katedralja e Shkodrës u mbush me lutje dhe kujtime për figurën e tij.
Besimtarë dhe klerikë u mblodhën në meshën përkujtimore, duke sjellë në vëmendje jetën, veprën dhe vuajtjet e një prej përfaqësuesve të klerit katolik shqiptar, që përjetoi përndjekjen dhe burgimin gjatë diktaturës.
Për komunitetin, kujtimi i tij është edhe një dëshmi e qëndresës së klerikëve që, pavarësisht dhunës dhe represionit, vijuan të ruajnë besimin.
“E vërteta nuk burgoset, besimi nuk shuhet dhe dëshmia e martirëve jeton përgjithmonë.”
Pesë dekada pas burgosjes së tij, kujtimi i Gasper Jubanit vijon të përcillet përmes besimit dhe kujtesës së komunitetit katolik në Shkodër, duke mbajtur gjallë historinë e përndjekjes së klerit gjatë diktaturës.


