Komisioni i Ligave dhe Garave ka përcaktuar kalendarin e kampionatit “Abissnet Superiore”, nga java e 14-të deri në javën e 19-të. Kampionati do të rikthehet menjëherë pas pushimit nga ndeshjet e ekipeve Kombëtare në Nations League dhe Komisioni i Ligave dhe Garave ka përcaktuar datat deri në fund të vitit. Java e 14-të do të luhet në fundjavë më 23 dhe 24 nëntor, ndërsa java e 15-të është e ndarë në tre ditë dhe mbyllet të dielën e 1 dhjetorit me derbin e kryeqytetit, Tirana – Partizani. Java e 16-të do të luhet në mesjavën e 4 -5 dhjetorit, ndërsa java e 17-të do të zhvillohet të dielën dhe të hënën.
Faza e dytë e kampionatit Abissnet Superiore do të ulë siparin në fundjavë, pasi ndeshjet e javës së 18-të do të luhen më 14 dhe 15 dhjetor. Gjithashtu, do të nisë faza e tretë e kampionatit, pasi java e 19-të dhe e fundit për këtë vit do të luhet të shtunën dhe të dielën më 21 dhe 22 dhjetor. Kështu më 23 nëntor në orën 17:00 Vllaznia do të presë në Shkodër Teutën në një përballje të rëndësishme. Në javën e 15-të shkodranët luajnë në transfertë me Bylisin më 29 nëntor në orën 13:30. Java e 16-të është një tjetër sfidë interesante teksa Vllaznia luan në shtëpi me Dinamon në orën 19:30.
Elbasani-Vllaznia do të jetë ndeshja e javës së 17-të më 8 dhjetori në orën 16:30. Më 14 dhjetor në Shkodër luhet takimi Vllaznia-Laçi në orën 16:00. Ky vit për kuqeblutë mbyllet me takimin Partizani-Vllaznia në kryeqytet, dy prej ekipeve pretendente për titullin kampion që do të luajnë më 22 dhjetor në orën 16:30. Në këto 6 javë të mbetura të këtij viti përballë Teutës, Bylisit, Dinamos, Elbasanit, Laçit dhe Partizanit shkodranët do të synojnë që të marrin pikët maksimale për të vijuar kryesimin e Superligës dhe rrugën drejt titullit kampion edhe pse mbetet një mision jo i lehtë. Nëse Vllaznia mbyll në vend të parë këtë vit do të ishte dhurata më e bukur për tifozët shkodran në festat e fundvitit.