Edhe pse hotelet dhe restorantet bregdetare kanë filluar të hapin thirrjet për punonjës disa muaj përpara sezonit, ata përsëri nuk arrijnë të plotësojnë stafet e tyre.

Për të zgjidhur këtë ngërç, shumë prej tyre po i drejtohen fuqisë së huaj punëtore.

Sipas informacioneve nga Ministria e Brendshme janë në total 7,124 shtetas të huaj që kanë marrë leje pune në vendin tonë. Romina Koçllari, menaxhere në një resort turistik, shprehet se diçka të tillë e kanë provuar edhe ata.

“Ne kemi kryer një eksperiment me punëtorët e huaj dhe i kemi marrë ata për të parë nëse përshtaten. Periudha e eksperimentit me ta ishte afatshkurtër dhe nuk patëm mundësi të bënim një gjykim objektiv, por parimisht ne do t’i kemi si synim në të ardhmen nëse nuk plotësojmë stafet.”

Pagat më të larta në vendet europiane dhe rajonale, natyra sezonale e sektorit të shërbimit dhe rëndësia e paktë që i jepet profesioneve në këtë fushë ka bërë që resortet turistike të vuajnë për stafe edhe pse thirrjet hapen disa muaj përpara sezonit. Ata kanë filluar të marrin punëtorë të huaj, por edhe kjo zgjidhje mbetet e sforcuar për ta në kushtet kur punëtorët e huaj shpesh e shohin Shqipërinë si vend tranzit për në BE.