Shumë njerëz shpesh mbeten të mëdyshur për marrjen e vaksinës kundër COVID-19, sepse kanë frikë nga ndërlikimet e mundshme afatgjata shëndetësore. Por a mund të ketë komplikime të tilla? Ja një kontroll i fakteve.

Disa njerëz e justifikojnë hezitimin, duke thënë se kanë frikë nga efektet e mundshme afatgjata të vaksinave. Në Twitter, disa skeptikë vaksinash kanë vënë në dukje shembuj të vaksinave të tjera, për shembull kundër gripit të derrit, ku dyshohet se ka pasur komplikime afatgjata. Por a është e vërtetë? Ja përgjigjet për pyetjet më të rëndësishme.

Reaksionet, efektet anësore dhe efektet afatgjata. Cilat janë dallimet?
Reaksionet ndaj një vaksine zakonisht ndodhin menjëherë pas një vaksinimi dhe mund të zgjasin për disa ditë. Në rastin e vaksinave të COVID-19, këto mund të përfshijnë dhimbje ose enjtje në vendin e injektimit – me fjalë të tjera, një dhimbje në krah – ose dhimbje koke. Këto simptoma tregojnë se sistemi imunitar i trupit po përballet me vaksinën. Ato që mund të quhen “efekte anësore” janë reagimet më të forta ndaj një vaksine. Ato janë “një reagim i padëshirueshëm i trupit ndaj vaksinës që ndodhin duke iu shtuar reaksionit krejtësisht normal pas vaksinimit,” thotë Christine Falk, presidente e Shoqatës Gjermane për Imunologjinë dhe profesore në Institutin për Imunologjinë dhe Transplantet në Hannover. Efektet anësore shumë të rralla si tromboza e sinusit venoz cerebral ose inflamacioni i muskujve të zemrës janë raportuar tashmë me vaksinat e COVID-19.

Po rastet e trombozës të lidhura me AstraZeneca?
Ky është një efekt anësor i rrallë, që u zbulua nga zyrtarët e shëndetit publik, vetëm pasi u prezantua vaksina AstraZeneca. Kishte disa raste të rënda me mpiksje gjaku në vende të ndryshme ose të pazakonta (për shembull, në tru si trombozë e sinusit venoz cerebral). “Studimet klinike mund të tregojnë reagimet më të zakonshme ndaj vaksinës, por për fat të keq, jo ato të rralla, për shkak të numrit relativisht të vogël të rasteve,” shpjegon Falk. Kjo është arsyeja pse ky efekt anësor nuk doli në dritë deri pas miratimit të vaksinës, tha ajo. Sipas autoriteteve shëndetësore australiane, tromboza shfaqet vetëm në një maksimum prej katër deri në gjashtë personash, nga 1 milion që janë të vaksinuar me AstraZeneca.

Çfarë efektesh anësore janë raportuar pas vaksinave kundër COVID-19?
Në raportin e vet të sigurisë, Instituti Paul Ehrlich, një agjenci shëndetësore federale gjermane që rregullon dhe studion vaksinat, liston efektet anësore të njohura, por shumë të rralla, të vaksinave të COVID-19. Ato përfshijnë, për shembull, miokarditin, një inflamacion të muskulit të zemrës dhe perikarditin, një inflamacion të perikardit, ku lidhja shkakësore ende nuk është sqaruar përfundimisht në rastet e raportuara deri më sot.

Për më tepër, janë raportuar reaksione anafilaktike, tromboza të sinusit venoz cerebral, sindroma Guillain-Barré dhe trombocitopeni ose trombocitopeni imun. Instituti nxjerr gjithashtu raporte vaksinash, të cilat përditësohen çdo muaj dhe përfshijnë informacione për shpeshtësinë e efekteve anësore.

Artikulli paraprakAKREPAT SHKOJNË 60 MINUTA PAS, NGA SOT NIS ORA DIMËRORE
Artikulli tjetërMAKINA PËRPLAS BIÇIKLETËN, PLAGOSET RËNDË 60-VJEÇARI