Liqeni i Shkodrës është një prej zonave që njihet ndërkombëtarisht dhe bën pjesë në konvetën e ligatinave që përkon në 2 shkurtin e vitit 1971.

Ndonëse liqeni është një zonë e mbrojtur dhe një pasuri në florë e faunë, në këto 25 vite fatkeqësisht është shkatërruar në çdo aspekt të mundshëm. Në të njëjtën gjendje ndodhet edhe lumi Buna që po ashtu është pjesë e konventës së ligatinave dhe njihet në mbarë botën. Të dyja këto pasuri natyrore, liqeni dhe lumi Buna janë keqtrajtuar e madje janë dëmtuar masivisht. Në vend që të mbroheshin e ruheshin ashtu siç gëzojnë statusin ndërkombëtar janë bërë pre e abuzimit për 25 vite me radhë. Në liqenin e Shkodrës ka mbetur shumë pak nga liqeni i mëparshëm që të gjithë e kujtojnë dhe shkodranëve por edhe më gjërë i ka mbetur nostalgjia. Në këtë 2 shkurt më mijëra bimë që dëmtojnë liqenin po i zënë frymën në shumë pjesë të tij. Derdhja e ujrave të zeza, mbeturinat në shumë pjesë, gjuetia e paligjshme deri para moratoriumit por edhe më pas e po ashtu ndërtimet pa kriter që janë bërë për vite me radhë e kanë transformuar si mos më keq liqenin e Shkodrës duke i dhënë një pamje tjetër e duke i humbur shumë prej vlerave natyrore që dikur kishte. Përçapjet me moratorium apo një sërë institucionesh që nuk dinë se ku nisin dhe mbarojnë kompetencat nuk janë gjëja më e mirë e mundshme për t’ia shpëtuar jetën atij liqeni. E ndërsa sot në ditën botërore të ligatinave me apo pa dashje nuk u tha se cila është gjendja e liqenit sot, pse është shkatërruar dhe se askush nuk mendon për të investuar seriozisht për ta mbrojtur e për ta kthyer në identitet. Miliona euro janë dhënë për 25 vite me radhë por ky liqen ende rënkon.