
Task-forca e Bashkisë Lezhë për mbarëvajtjen e sezonit turistik, ka vijuar kontrollet përgjatë vijes bregdetare të Shëngjinit, për hapësirat publike në plazh dhe abuzimet me çmimet.Grupi i përbashkët i Policisë Bashkiake, Drejtoria e Taksave dhe Njësia Administrative në bashkëpunim me policinë e shtetit, po kalojnë në sitë të gjitha subjektet private.
Kontrollet janë përqendruar në rastet e abuzimeve me çmimet e parkingjeve, verifikimin e kontratave të stacioneve të plazheve të menaxhuara nga subjekte private, përfshirë edhe ato të menaxhuara nga kompania “Lezha Invest”, si dhe zënien pa të drejtë të hapësirave publike në stacionet e plazheve publike.Si rezultat i aksionit, janë konstatuar një sërë shkeljesh, ku janë marrë masa administrative ndaj subjketeve si dhe janë sekuestruar çadra dhe zhezlonge, ndërsa disa raste janë referuar pranë Drejtorisë së Tatimeve për hetim të thelluar tatimor.Aksioni është pjesë e një plani të gjerë për të garantuar rend, transparencë dhe barazi për të gjithë operatorët turistikë dhe qytetarët gjatë sezonit veror në Shëngjin dhe Tale.






