Ada e Velipojës ka humbur me rezultat të thellë 6-1 në tranfsertën me Ilirinë e Fushë-Krujës. Edhe pse velipojakët kanë arritur që të barazojnë në minutën e 17 me anë të Jubanit pas avatazhit që solli Lleshi me një gol në minutën e 3, Iliria nuk ka lëshuar më por ka shënuar edhe 5 gola të tjerë.

Pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 2-1 teksa ka qenë sërish Lleshi që ka kaluar ekipin e tij në epërsi me golin e realizuar në minutën e 34’. Në pjesën e dytë vendasit kanë shënuar edhe 4 gola të tjerë. Në 45 minutat e dytë fillimisht është Doçi ai që çon në 3-1 rezultatin duke e mbyllur praktikisht këtë takim. Ada thuajse dorëzohet dhe si rezultat pëson edhe tre gola të tjerë. Lleshi në minutën e 61 shënon golin e katërt për Ilirinë dhe golin e tretë personal. Seria e golave vijon edhe në minutën e 75 teksa për Ilirinë shënon Tali. Në fund të lojës vendasit kanë kohë edhe për një gol tjetër teksa këtë radhë është Lilaj që shton emrin në listën e golashënuesve dhe vulos fitoren e Ilirisë ndaj Adës me rezultatin përfundimtar 6-1. Me këtë humbje ekipi velipojak vështirëson pozitat në renditje duke mbajtur vendin e parafundit me vetëm 6 pikë duke qenë tashmë 3 pikë larg Burrelit, ekip i cili barazoi këtë javë 1-1 me Erzenin. Ada edhe në javën e ardhshme do të ketë një sfidë tejet të vështirë teksa do të presë në fushën sportive “Reshit Rusi” ekipin e Korabit, skuadër e cila rezultoi surprizë në grupin A të Kategorisë së Parë duke qenë se aktualisht renditet në vendin e 3-të me 21 pikë. Pavarësisht kësaj situate të vështirë Ada do vijojë luftën për të qëndruar në Kategorinë e Parë.