Bashkia Shkodër përmes një deklarate për shtyp ka konfirmuar lajmin e një ditë më parë të “Star Plus” për ngritjen e një grupi auditi për klubin e futbollit Vllaznia.

Është vetë kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi e cila përmes një deklarate për mediat tregon për auditin që ka nisur në klubin kuqeblu. Në deklaratën zyrtare kryebashkiakja quan një shqetësim të vazhdueshëm rezultatet shumë të dobëta sportive të Vllaznisë. “Prej kohësh ndjek me shqetësim situatën e Klubit të Futbollit “Vllaznia”. Shqetësim i vazhdueshëm kanë qenë dhe mbeten rezultatet shumë të dobëta sportive të Vllaznisë, por dhe pretendimet për keqadministrimin financiar dhe teknik të Klubit”-thuhet në deklaratë. Më tej kryetarja e bashkisë sqaron se situata tek Vllaznia është në përkeqësim e sipër ndaj edhe në bazë të ligjit për auditimin për shoqëritë tregtare, si i vetmi tagër ligjor ka ndërmarrë procesin e kontrollit tek Vllaznia mes të cilave edhe për menaxhimin e financave. “Në kushtet e një situate në përkeqësim kam ushtruar të vetmin tagër që më japin ligjet në fuqi si kryetare e Bashkisë Shkodër, duke ndërmarrë një proces kontrolli mbi administrimin, mënyrën e marrjes së vendimeve për skuadrën dhe menaxhimin e financave”-bën të ditur deklarata.  

ADEMI: RAPORTI NGA AUDITI PËR VLLAZNINË GATI ME 30 SHTATOR

Në përfundim kryebashkiakja Ademi thotë se raporti paraprak pas auditimit në klubin Vllaznia do jetë i gatshëm me 30 shtator ndërsa ka kërkuar edhe mbledhjen urgjente të bordit që u zhvillua një natë më parë pikërisht për të analizuar gjendjen e vështirë që po kalon klubi kuqeblu.“Raporti paraprak i grupit të auditimit pritet të jetë i gatshëm më 30 shtator. Në të njëjtën kohë kam kërkuar mbledhjen urgjente të Këshillit Mbikëqyrës ose Bordit për të analizuar me përgjegjësi gjendjen e vështirë të Klubit të Futbollit “Vllaznia”. Raporti dhe konkluzionet e mbledhjes urgjente të Këshillit Mbikëqyrës kërkoj të paraqiten për t’u shqyrtuar në mbledhjen më të parë të Këshillit Bashkiak (Asamblesë së përgjithshme) si pronar i shoqërisë tregtare Klubi i Futbollit “Vllaznia”-mbyllet deklarata e kryetares së bashkisë Voltana Ademi.