Kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi përmes një zyre avokatie i ka bërë një kërkesë për ndërhyrje kryesore Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë që të mos pranojë regjistrimin e kryetarit të bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu si kryetari i ri i shoqatës së bashkive të Shqipërisë.

Në 7 qershor të këtij viti në Lezhë u mblodh Asambleja e Përgjithshme e shoqatës së bashkive duke shkarkuar Voltana Ademin si kryetare të saj dhe duke emëruar Pjerin Ndreun si kryetar të ri. Ky vendim sipas kryebashkiakes së Shkodrës Ademi është i paligjshëm dhe ka për qëllim sipas saj ndërhyrjen e paligjshme në procesin që zhvillohet në

Gjykatën Kushtetuese, e cila do të shqyrtojë kërkesën me datë 23 qershor 2021 për ligjshmërinë ose jo të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, për të cilën shoqata e bashkive kur drejtohej nga Ademi bëri një padi në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar që ato zgjedhje në të cilat PD nuk mori pjesë të shpallen të paligjshme. Në kërkesën drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë zyra e avokatisë thotë se:

“Znj. Ademi, në cilësinë e Kryetares së Bashkisë Shkodër është zgjedhur Kreytare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, detyrë të cilën e ushtron edhe aktualisht. Në të njëjtën kohë,

z. Pjerin Nderu si kryetar aktual i Bashkisë Lezhë, me datë 8 qershor 2021në kundërshtim të hapur me statutin dhe ligjin, ka mbajtur mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të kësaj shoqate, ndonëse z. Ndreu dhe bashkia e tij nuk janë aktualisht anëtarë të kësaj shoqate sipas kërkesave të ligjit dhe statutit të shoqatës dhe mbledhje të organizuar edhe në kundërshtim me rregullat e Statutit të kësaj shoqate.

Sipas vendimeve të marra, kjo Asamble, e përbërë me persona që nuk janë aktualisht anëtarë të kësaj shoqate, ka vendosur midis të tjerash shkarkimin e znj. Voltana Ademi nga pozicioni i Kryetares së kësaj shoqate dhe zgjedhjen e z. Pjerin Ndreu si kryetar i kësaj shoqate.

Në këto kushte, kur është organizuar një mbledhje asambleje në kundërshtim me rregullat e statutit të shoqatës dhe legjislacionin në fuqi, kanë marrë pjesë në këtë mbledhje persona që nuk janë anëtare dhe vendimet që kërkohen të regjistrohen, cënojnë haptazi dhe në mënyrë të paligjshme interesat e Bashkisë Shkodër si anëtare e kësaj shoqate, interesat e ligjshme të Kryetares së Bashkisë Shkodër si kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, si dhe interesat e vetë shoqatës.

Kërkojmë të bëhemi pjesë në këtë proces, duke kërkuar nga ana juaj që në fund të procesit, pasi të na keni dhënë mundësi të dëgjohemi dhe t’ju paraqesim provat përkatëse, të pranoni kërkesën e ndërhyrësit kryesore dhe të refuzoni kërkesën e kërkuesve në këtë proces.

Personat që kanë marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të thirrur nga Ndreu nuk janë zgjedhur në mënyrë të rregullt dhe nuk mund të jenë përfaqësues të këtyre bashkive në shoqatë, për më tepër që këto bashki që pas zgjedhjeve të 30 qershorti 2019 janë larguar vullnetarisht nga shoqata e Bashkive të Shqipërisë dhe po ashtu, nuk kanë paguar kuotizacionet prej më shumë se 3 vitesh”, thuhet në kërkesën dërguar Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë nga zyra e avokatisë për bashkinë Shkodër.

Artikulli paraprakSHKODËR, PËRKUJTOHET DITA E TË VRARËVE NË KUFI
Artikulli tjetërVELIPOJË, DREJT PËRFUNDIMIT PUNIMET NË RRUGËN E XHAMISË