Pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit punësimi në shtet u zgjerua. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se gjatë tremujorit të parë të këtij viti numri i të punësuarve në administratën publike u shtua me 1109 persona. Faktoje.al i është referuar shifrave të INSTAT, ku numri i të punësuarve në sektorin publik arriti në 185,387 persona në fund të muajit mars. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024 numri i të punësuarve në shtet është shtuar me 3630 individë.
Edhe pse ligjërisht punësimi në shtet përpara zgjedhjeve është i ndaluar, të dhënat ndër vite tregojnë se administrata publike në Shqipëri është rritur veccanërisht kur ka pasur zgjedhje.

Rasti më tipik ishte në zgjedhjet e kaluara parlamentare të vitit 2021. Të dhënat e INSTAT tregojnë se punësimi në sektorin shtetëror u zgjerua brenda një viti me 7,812 të punësuar, apo 4,5% më shumë.
Punësime elektorale

“Punësimet elektorale janë një traditë e ndjekur në Shqipëri, sidomos në vitet e fundit kur në tre procese zgjedhore sistemi i patronazhizmit ka diktuar nevojën për mobilizim maksimal të burimeve njerëzore,” shprehet për Faktoje.al Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike.

Sipas tij, ky fenomen nuk është i ri, por ka marrë përmasa më serioze në vitet e fundit, siç dëshmohet edhe nga të dhënat për vitin 2021.

“Pavarësisht se është një nga kritikat kryesore në raportet e ODHIR-it dhe OSBE-së ndër vite dhe ka pasur rekomandime për ndërhyrje në legjislacion për parandalim të një situate të tillë, progresi është krejtësisht minimal,” shton Krasniqi.

Ai thekson se në raste të tilla, “Prokuroria dhe SPAK do të duhet të bënin një hetim të thelluar të përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë elektorale”, ndërsa “Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të hetojë mbi praktikat e ndjekura, që fenomene të tilla të mos përsëriten.” Sipas tij, kjo është një çështje që “duhet trajtuar me prioritet, edhe në kuadër të procesit të integrimit europian.”

Edhe Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare thekson për Faktoje.al rëndësinë e kësaj çështjeje, duke deklaruar se “jo vetëm ne si aktor lokal, por tashmë edhe OSBE-ODHIR përsërit se në zgjedhje përdorimi i burimeve shtetërore është një nga problemet kryesore në garën për pushtet.”

Ai nënvizon se më shumë sesa asetet materiale, “peshën më të rëndësishme e zënë burimet njerëzore, apo nëpunësit e shtetit,” duke shtuar se “nëse ne kemi një problem me përdorimin e nëpunësve në fushatë, rritja e numrit të tyre e shumëfishon problemin dhe gjithashtu shumëfishon benefitet elektorale të partisë në pushtet.”

Sipas Qiraxhit, kjo është një nga arsyet pse “administrata jonë vetëm rritet, aq sa të krijojë një administratë dyfish më të lartë se vendet europiane.” Ai kujton se “përgjatë pesë viteve të fundit, Qëndresa Qytetare ka denoncuar mbi 100 raste të përdorimit të administratës në fushatë dhe një pjesë e mirë e tyre janë gjetur në përdorim të shtetit për fushatë.”

Artikulli paraprakJA SI PRITET TË JETË MOTI SOT
Artikulli tjetërSOT DITA BOTËRORE E DHURIMIT TË GJAKUT