Janë 1.073 vende në administratën shtetërore, të cilat qeveria mendon t’i plotësojë me rekrutime të reja gjatë këtij viti. Në një Vendim të marrë dje, Këshilli i MInistrave deklaron se numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2018 në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil, është gjithsej 1.073. Sipas kategorive, 20 vende vakante janë në kuadrin e Trupës së Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues (TND), ku përfshihen drejtorë të përgjithshëm të institucioneve kombëtare.

Për kategorinë e mesme drejtuese shpallen 83 vende bosh; për kategorinë e ulët drejtuese 305 dhe për kategorinë ekzekutive 665 vende. Në kategorinë ekzekutive do të kërkohen profesionistë nga sektorët si më poshtë: Shkenca juridike; Shkenca kompjuterike; Audit i brendshëm; Shkenca ekonomike; Shkenca ekonomike/juridike; Shkenca shoqërore; Shkenca sociale; Histori-filologji; Shkenca mjekësore; Veterinari; Agronomi; Shkenca biologjike dhe të ngjashme me to; Kimi; Shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme; Shkenca inxhinierike; Arkitekturë; Arkeologji dhe restaurime; Artet e bukura; Gjeodezi; Shkenca ekzakte; Shkenca edukimi; Mësuesi dhe Arsim i lartë ushtarak/policor.

Do të jetë Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse, institucioni i ngarkuar për zbatimin e këtij vendimi. Vendim do të hyjë në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.