Administrata “Trump”, nis përzgjedhja për 4.000 emërimet

Presidentit të zgjedhur Donald Trump do t’i duhet të mbushë gati 4.000 pozicione qeveritare, ku hyjnë edhe disa prej posteve më të rëndësishme të administratës amerikane. Ekipi i tij i është përveshur punës për të dalë me emra konkrete, megjithatë, mundësi zgjedhjeje nuk ka shumë. Një pjesë e mirë e parisë republikane e ka mbajtur larg Trumpin. Të tjerë, përfshirë këtu figura me përvojë të partisë, e refuzojnë miliarderin krejtësisht. CNN ka hartuar një listë kandidatësh të mundshëm për të zënë pozicione në kabinetin “Trump”, që të gjithë emra që vijnë nga rrethi i mbështetësve të tij. Shef stafi mund të caktohet Newt Gingrich, ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, që garoi për president në zgjedhjet e vitit 2012. Këtë post mund ta marrë edhe guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, i cili u përball me Trumpin në paraprake, e më pas i doli në krah gjatë fushatës, ose ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudi Giuliani, këshilltari në hijë i manjatit. Nuk është çudi, megjithatë, që në fund të zgjidhet Reince Priebus, presidenti i Komitetit Kombëtar Republikan. Në karrigen e këshilltarit të Sigurisë Kombëtare ka gjasë të ulet gjeneral-lejtnanti i tërhequr nga ushtria, Michael Flynn. Këshilltari i lartë i komunikimit gjatë fushatës, Jason Miller diskutohet si sekretar shtypi. Për Sekretarin e Mbrojtjes janë 4 emra në garë, të kryesuar nga senatori i Alabamës, Jeff Sessions. Të njëjtin emër e gjejmë të lakohet dhe për Sekretar Shteti, në krah të ish-ambasadorit amerikan në OKB, John Bolton. Një tjetër njeri me të cilin u përball në paraprake, mjeku Ben Carson mund të zgjidhet Sekretar i Arsimit ose i Shëndetësisë, ndërsa menaxherja e fushatës elektorale, Kellyanne Conway, ndoshta shpërblehet me postin e këshilltares së lartë.

Artikulli paraprakSITUATA NE BASHKINE SHKODER DERI NE OREN 16 TE SE ENJTES
Artikulli tjetërTE PREMTEN PRITET TE RIKTHEHEN RESHJET INTENSIVE NE VERI TE VENDIT