Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, reagon për situatën e krijuar në Afganistan dhe lajmet e fundit se Shqipëria do të strehojë afganë, që kanë punuar për qeverinë amerikane.

Në një postim të gjatë në “Facebook”, kreu i qeverisë shqiptare zbulon se ka pranuar kërkesën për strehimin në Shqipëri të qindra personave, që sipas tij, janë nga të parët në listat e ekzekutimeve.

“Kjo është arsyeja morale pse ende pa ardhur kërkesa e qeverisë amerikane, ne kemi mikpritur dy kërkesa prej dy institucionesh shoqërore shumë të respektueshme përtej oqeanit, për të vlerësuar strehimin e përkohshëm në Shqipëri të disa qindra personave, nga rrethet intelektuale dhe të grave aktiviste afgane, të cilët janë nga të parët në listat e ekzekutimeve të barbarëve të Afganistanit”, thekson kryeministri Rama, teksa sjell në vëmendje strehimin në Shqipëri të muxhahedinëve disa vite më parë, duke thënë se “Dhe e vërteta, ndryshe nga ç’jashtënxorri çisterna e mexhelisit të korruptuar mediatik të Tiranës, është se askush nuk na e vuri litarin në fyt, përkundrazi”.

Në postimin e tij, kryeministri Rama thekson se në Samitin e NATO-s ka qenë pikërisht ai, që ka ngritur shqetësimin për jetët e bashkëpunëtorëve afganë të Aleancës pas tërheqjes së saj nga Afganistani.

“Thashë në samit se pas tërheqjes së ushtrive të saj, bashkësia e qytetërimit demokratik të NATO-s nuk mund t’i lerë në mëshirën e barbarëve triumfatorë, njerëzit e ekspozuar si mbështetës të afërt të misioneve paqeruajtëse atje. Dhe nënvizova me gojën plot, se Shqipëria ishte e gatshme të merrte pjesën e saj të barrës, të cilën të gjitha vendet e NATO-s duhet ta ndajnë mes tyre. Kjo është bindja ime, jo vetëm si njeri i një populli që ka shpëtuar hebrenjtë nga nazistët e shekullit të XX, po edhe si kryeministër i një vendi që i njeh mirë të dyja anët e medaljes, qoftë kur të lënë vetëm në duart e një regjimi xhelatësh në atdheun tënd, qoftë kur kërkon një jetë të re si i huaj në vendet e të tjerëve”, shkruan ai më tej.

Artikulli paraprakSHERR NË TREGUN E MILOTIT, PLAGOSEN ME THIKË DY VËLLEZËRIT E RINJ, GODITËN ME SENDE TË FORTA 58-VJEÇARIN
Artikulli tjetërZBULIMI I FUNDIT: KËTO SHTETE RREZIKOJNË TË ZHDUKEN SI PASOJË E MOTIT EKSTREM