Ushtria amerikane thotë se beson se ka vrarë një planifikues për degën afgane të grupit Shteti Islamik në një sulm me dron në lindje të vendit. Anëtari i dyshuar i grupit ISIS-K ishte shënjestruar në provincën Nangarhar.

Kapiteni Bill Urban i Komandës Qendrore tha: “Sulmi ajror pa pilot ndodhi në provincën Nangarhar të Afganistanit. Indikacionet fillestare janë se ne kemi vrarë objektivin. Ne nuk dimë për viktima civile.” Ai e përshkroi atë si një “operacion kundër terrorizmit jashtë horizontit”.

Një dron ‘Reaper’, goditi militantin ndërsa ai ishte në një makinë me një anëtar tjetër të ISIS, duke i vrarë të dy, tha një zyrtar për agjencinë e lajmeve Reuters.

ISIS-K ka marrë përgjegjësinë për të dyja sulmet jashtë aeroportit të Kabulit, ku deri tani regjistrohen 170 viktima, mes tyre 13 trupa amerikanë dhe mbi 150 të plagosur. Presidenti Joe Biden premtoi se do të gjente xhihadistët pas sulmit vetëvrasës. ISIS-K, ose Provinca Khorasan e Shtetit Islamik, është grupi më ekstrem dhe më i dhunshëm nga të gjitha grupet militante xhihadiste në Afganistan.

Ndërkohë që në aeroportin e Kabulit  situata vijon te jetë tepër e tensionuar dhe talebanët kanë ngritur pika kontrolli në çdo rrugë që të lidh me të për të mos lejuar kalimin e  afganëve, në dy javët e fundit, më shumë se 100,000 njerëz besohet se janë evakuuar. Ndërkohë që afati i 31 gushtit për të mbyllur procesin e evakuimit po i vjen fundi me mijëra afganë ndodhen në aeroport dhe rreth tij me shpresën për t’u larguar nga duart e talebanëve.

Rreth 5,000 trupa amerikane janë akoma të vendosur në aeroportin e Kabulit, për t’i siguruar çdo të huaji që të largohet nga Afganistani në orët e ardhshme.Zyrtarët amerikanë kanë lëshuar një paralajmërim të ri për qytetarët amerikanë që të qëndrojnë larg portave të aeroportit në rast të sulmeve të mëtejshme.

Shumica e vendeve të NATO -s i kanë dhënë fund fluturimeve të tyre emergjente. Franca i dha fund përpjekjes për evakuim të Premten, duke fajësuar përkeqësimin e sigurisë në aeroport.