Atleti olimpik nga Afrika e Jugut, Oscar Pistorius është dënuar me 6 vite heqje lirie për vrasjen e së dashurës së tij, Reeva Steenkamp, në vitin 2013.

Vendimi i gjykatës vjen pas ndryshimit të akuzës, pasi fillimisht ai u dënua me 5 vite burgim për vrasje pa paramendim, ndërsa më pas në dhjetor të vitit të kaluar akuza u ndryshua në vrasje pas apelimit. Ai është dërguar menjëherë në burg pas dhënies së vendimit paraditen e kësaj të mërkure, e megjithatë sërish i jepet mundësia, si prokurorisë ashtu dhe mbrojtjes, që të apelojnë. Pistorius, 29 vjeç, qëlloi 4 herë me pasojë vdekjen të dashurën e tij Reeva Steenkamp, teksa kjo gjendej pas derës së mbyllur të tualetit në shkurt të vitit 2013. Ai pranoi se e kishte qëlluar atë, por tha se kishte menduar se ishte një hajdut që kishte hyrë në shtëpinë e tij dhe se kishte vepruar në kushtet e të qenit i frikësuar. Në seancën e sotme prej rreth një ore, gjykatësi Thokozile Masipa tha se, pavarësisht rrethanave lehtësuese si rehabilitimi dhe keqardhja e tij, rrethanat rënduese peshojnë më shumë ndaj dhe ai dënohet me 6 vite heqje lirie, nga 15 vite burgim që parashikohet për vrasje. I veshur në të zeza, Pistorius thjesht ka dëgjuar gjithçka është thënë nga gjykatësi, madje duke mbajtur kokën të ulur dhe pa e parë në sy. Prindërit e Steenkamp, Barry dhe June, ishin ulur në anën tjetër të sallës, aty ku ndodheshin edhe gazetarët dhe vëzhguesit. Pistorius e ka kaluar tashmë një vit në burg prej vendimit të parë të gjykatës. Bazuar në ligj, ai është i detyruar të kalojë të paktën gjysmën e dënimit të tij të ri, përpara se të bëhet e mundshme lirimi i tij me kusht. Menjëherë pas seancës, ai u transferua për në burgun “Khosi Mampuru” në Pretoria. Gjashtë herë medalist i artë në Lojërat Paralimpike shkroi historinë, duke u bërë i pari sprintier i gjymtuar që garonte në Lojërat Olimpike të Londrës në vitin 2012, duke vrapuar me proteza. Atij i janë prerë këmbët nga gjuri e poshtë që kur ka qenë fëmijë.