
Në zemër të Shkodrës, në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, u rikthye për të 13-ën herë “Ahengu Shkodran”, një festë që tashmë është shndërruar në pjesë të pandashme të jetës shpirtërore dhe kulturore të qytetit. Dhjetëra qytetarë e artdashës u mblodhën për të shijuar interpretimet e grupit “Karajfilat që ka Shkodra”, duke u zhytur në tingujt e këngës së vjetër shkodrane, aty ku muzika bëhet kujtesë dhe gëzim njëherësh.
Organizatoret theksuan se kënga popullore është një pasuri e gjallë që trashëgohet brez pas brezi, duke mbetur dëshmi e shpirtit të qytetit.
Magjinë e këtij edicioni e pasuroi edhe këngëtarja shkodrane Albana Fani, e cila erdhi posaçërisht nga SHBA për të qenë pjesë e këtij përjetimi, që për të ishte një kthim i veçantë emocional te rrënjët dhe muzika e vendlindjes.
Ky aktivitet, i organizuar nga Qendra Kulturore “Pjetër Gaci” me mbështetjen e Bashkisë Shkodër, do të transmetohet i plotë në ditët në vijim në ekranin e Star Plus, duke sjellë edhe njëherë në çdo shtëpi jehonën e ahengut tradicional shkodran.






