Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj në një konferencë me gazetarët iu referua rritjes së sektorit të ndërtimit, që sipas tij i atribuohet rritjes së huave për ndërtim.

“Ekonomia është në një trajektore rritëse të qëndrueshme. Janë rritur huatë për ndërtim, si përgjigje e pyetjes se ku dalin paratë për ndërtim. Kjo rrëzon qëndrimet politike apo emocionale të çdo kujt. Kjo është një e dhënë shumë e rëndësishme për të kuptuar se nga vjen rritja e sektorit të ndërtimit, ka thënë ministri.

Ndër të tjera, ai tregoi se huaja për pasuritë e paluajtshme është rritur me 6 %.

“Do t’ju lutesha të shihnit lejet e Bashkisë së Tiranës në vite. 24.9 mld në 2014 dhe 24.79 mld në 2017. Ky është një tregues shumë i rëndësishëm”

Ministri përmendi edhe uljen e papunësisë në vend.

“Punësimi u rrit në 2017 , krahasuar me 2014 ka ulje prej 4 % papunësia, gati rritje prej po 4 % të pjesëmarrjes në forcat e punës. Në mandatin e dytë të qeverisë Rama papunësia po shkon drejt shifrës njëshifrore. “

Kreu i financave shqiptare tha më tej se kredia për sektorin privat shënoi rritje. Kreditë me probleme patën rënie, sipas tij.

“ Rënie nga 24 % në mars 2014, në 13.2 % në dhjetor 2017 të stokut të kredive të këqija”- tha ministri.

Ahmetaj në vijim të fjalës së tij, dha një panoramë të përgjithshme të ecurisë së ekonomisë në vend. “Pati 12.1 % rritje eksportet në 2017, ja nga vjen monedha e huaj. Rritja e eksporteve në janar është 23.6 %, perspektiva është e mirë, ka përmirësim të bilancit të pagesave.

Është përmirësuar ekonomia për shkak të reformave. Eksportet bujqësore në janar 2018, janë rritur 40.3 %. Borxhi publik. ka qenë në trajektore rënëse nga 2013 në 2017”- tha ministri.