TË RINJTË E VLLAZNISË GABOJNË SËRISH, LËSHOJNË KRYESIMIN. Akademia e Vllaznisë është duke arritur rezultate të ndryshme me të dy moshat në kategorinë superiore.

Ekipi U-17 i drejtar nga Alban Volumi ka arritur një fitore shumë të rëndësishme me Shkëndinë e Durrësit me rezultatin 1-0 e duke u ngjitur kështu në vendin e tretë në klasifikimin e përgjithshëm me 47 pikë. Kjo fitore ndonse e vuajtur dhe e arritur në minutat e fundit vlen shumë për të ruajtur ecurinë por në të njëjtën kohë dhe për të treguar vlerat e lojtarëve që janë duke u rritur. Nga java në javë, ky ekip që kur kaloi nën drejtimin eVolumit ka patur një rritje të konsiderueshme në lojë dhe rezultate. E kundërta është duke ndodhur me të rinjtë. Tashmë të boshatisur nga lojtarët cilësorë të cilët kanë kaluar tek ekipi i parë, skuadra U-19 ka gabuar sërish, këtë herë ndaj Shkëndisë së Durrësit duke u ndalur në barazim 1-1. Ajo që bën më shumë përshtypje është fakti se të rinjtë tashmë kanë lëshuar vendin e parë të klasifikimit të përgjithshëm duke mbetur në kuotën e 55 pikëve. Duke u ndalur tek ndeshja, vlen të theksohet se Vllaznia, ndaj Shkëndisë së Durrësit nuk ka shënuar asnjë gol. Të dy golat janë realizuar nga ekipi kundërshtar, një autogol në portën e tyre dhe një në portën e Vllaznisë. Pra kjo tregon më së miri nivelin e këtij ekipi dhe elementin që tashmë po e përbën këtë ekip. Mëgjithatë duhet thëne se ky ekip ka grumbulluar disa lojtarë nga ekipi U-17 e duhet kohë në dispozicion për të ingranuar siç duhet me lojtarët e tjerë. Gjithsesi të rinjtë duhet të ruajnë këtë ecuri për të kaluar në Play-off, kjo pasi në ndeshjet direkte mund të grumbullojnë sërish lojtarët të cilët kanë kaluar tek ekipi i parë e mund të shpallen sërish kampion.

Artikulli paraprak“RINGJALLJA E KRISHTIT” BESIMTARËT FESTOJNË PASHKËT
Artikulli tjetërVLLAZNIA SËRISH ME MUNGESA NDAJ TIRANËS