Ekipet e akademisë Vllaznia në javën e 10 të kampionatit janë përballë skuadrave të Partizanit. 17 vjeçarët kuqeblu edhe pse ndodhen shumë më mirë në renditje nuk kanë shkuar më shumë se një barazim ndaj të kuqve kryeqytetas.

Golat janë shënuar shpejt që në minutat e para. Është Vllaznia që e nis më mirë lojën. Në një aksion sulmues, në zonë ka rrëmujë, topi përfundon tek Parubi i cili jep një parabël, edhe pse merr një ndërhyrje arrin që ta çojë topin në rrjetë duke i dhënë avantazhit kuqebluve që në minutën e 6’. U mendua se Vllaznia do të gjente qetësinë dhe do e administronte takimin por ndodh e kundërta. Partizani fiton një goditje dënimi dhe është Çali i cili ekzekuton saktë duke dërguar në rrjetë topin dhe duke sjellë barazpeshën vetëm pas dy minutave nga epërsia e shkodranëve. Skuadrat përpiqen në 82 minutat e mbetura por nuk arrijnë të shënojnë gola të tjerë duke bërë që ndeshja të mbyllet në barazim 1-1. U-17 pas këtij barazimi mban vendin e 3-të me 20 pikë ndërsa kampionati kryesohet nga Shkëndija me 27 pikë dhe Tirana me 24 pikë. Ndryshe nga 17-vjeçarët, ekipi i të rinjve ka patur një përballje më të vështirë duke qenë se Partizani mban vendin e parë në renditje. Pavarësisht kësaj shkodranët kanë arritur që të fitojnë në shifrat 2-0. Vllaznia gjen shpejt avantazhin. Hebaj merr një top nga mesfusha, një prej mbrojtësve rrëzohet dhe shkodrani në hyrje të zonës godet saktë duke realizuar golin e parë në minutën e 15’. Pjesa e parë mbyllet 1-0. Edhe në 45 minutat e dyta Vllaznia e nis me gol. Rajçeviç merr një top nga një goditje këndi dhe tregohet i saktë me kokë duke realizuar golin e dytë në minutën e 55’. Vllaznia administron lojën dhe arrin të fitojë 2-0 në një sfidë të rëndësishme. Shkodranët pas kësaj fitoreje i afrohen shumë kreut duke qenë në vendin e tretë me vetëm një pikë më pak se Shkëndija dhe Partizani që kryesojnë renditjen e 19-vjeçarëve.

Artikulli paraprakVUÇIÇ NË SAMITIN E OSBE: BALLKANI NJË FUQI BARUTI PËR EUROPËN
Artikulli tjetërKALIFORNIA GODITETET NGA TERRORIZMI I BRËNDSHËM, 14 TË VDEKUR