Dy ekipet e akademisë Vllaznia kanë arritur që të marrin rezultate pozitive ndaj një kundërshtari direkt siç është Shkëndija e Tiranës. Fillimisht 17-vjeçarët pas një loje të mirë kanë mundur që të ndalin Shkëndijen në sfidën që u luajt në transfertë në një takim që u mbyll në barazim pa gola, 0-0. Në këtë përballje Vllaznia ka zhvilluar një lojë racionale, me një mbrojtje të vendosur por disa here ka provuar edhe të gjejë rrugën e golit.

Vendasit kanë tentuar që të shënojnë por shkodranët kanë qenë të pakalueshëm në këtë takim duke u kthyer më një pikë të rëndësishme në Shkodër. Skuadra e drejtuar nga trajneri Nefail Zhejani pas kësaj sfide vazhdon që të jetë në vendin e tretë me 24 pikë duke ndjekur Shkëndijën dhe Tiranën që kryesojnë klasifikimin. 17-vjeçarët kanë 7 fitore, 3 barazime dhe 3 humbje deri tani me një golavarazh me 27 gola të shënuar dhe vetëm 11 të pësuar. Ndryshe nga U-17 të rinjtë e Vllaznisë në javën e 13-të kanë arritur që të dalin në krye të klasifikimit. Ekipi i U-19 bëri një ndeshje të mirë në Tiranë ndaj Shkëndijës duke arritur që të fitojë me rezultatin e ngushtë 1-0. Pjesa e parë është mbyllur në barazpeshë 0-0. Në pjesën e dytë kuqeblutë janë treguar më kërkues dhe në minutën e 72-të kanë arritur që të shënojnë me anë të Tomës golin e avantazhit që në fund do të vendoste edhe fitoren e Vllaznisë në kryeqytet. SKuadra e drejtuar nga trajneri Edmond Doçi gradualisht ka përmirësuar lojën dhe tashmë gjendet në krye të klasifikimit me 31 pikë të grumbulluara duke lënë pas Partizanin dhe vetë ekipin e Shkëndijës. 19-vjeçarët kanë 10 fitore, një barazim dhe dy humbje me një golavarazh prej 31 golash të shënuar dhe 9 të pësuar. Në javën e ardhshme ekipet e akademisë Vllaznia do të luajnë ndaj skuadrës së Olimpikut.