Një aksident automobilistik ka ndodhur paraditen e së shtunës në aksin rrugor Shkodër – Velipojë, përballë shkollës së mesme të bashkuar “Frederik Gjoni”, nga ku ka pëfunduar në kanalin anësor të kullimit. Automjeti tip BENZ, në momentin e aksidentit ka patur vetëm drejtuesin, i cili për fat të mirë nuk është dëmtuar. Përveç dëmeve materiale të automjetit, drejtuesi i saj nuk ka pësuar lëndime. Mendohet se makina ka përfunduar e përmbysur në kanalin anësor pasi drejtuesi ka humbur kontrollin për shkak të amortizimit të rrugës.

Duke dashur shmangien e një grope në mes të asfaltit, drejtuesi ka humbur kontrollin, duke përfunduar në kanalin anësor. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur Policia e Shkodrës, e cila ka filluar menjëherë hetimet për zbardhjen e plot të aksidentit. Rruga e Velipojës është kthyer në jo pak raste në një burim aksidentesh, nga ku një numër i madh personash kanë rrezikuar jetën.

Amortizimi i saj prej vitesh, prania e kthesave të shumta dhe kalimi në zona të banuara janë kthyer në problem të madh shqetësues për drejtuesit e automjeteve dhe banoërve. Problemi pritet të marrë fund me përfundimin e punimeve në këtë aks, të filluara muaj më parë.