
Një aksident rrugor me pasojë vdekjen është shënuar paraditen e së mërkurës në aksin Fushë-Krujë–Rinas, mbi urën e Gjolës.Në përplasjen mes dy automjeteve, një Land Rover dhe një Benz, ka humbur jetën gazetari 26-vjeçar, Xhesjon Zogu, i cili ndodhej në drejtimin e njërit prej automjeteve.
Goditja ka qenë e fortë dhe për pasojë 26-vjeçari ka mbetur i plagosur rëndë. Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital. I plagosur ka mbetur edhe drejtuesi i automjetit tjetër, Behar Ruçi, me origjinë nga Korça, i cili është dërguar për mjekim në spital. Paraprakisht, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë një parakalim i gabuar, ndërsa rrethanat e plota të përplasjes mbeten ende për t’u sqaruar.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur punën për dokumentimin e plotë të aksidentit dhe përcaktimin e përgjegjësive. Humbja e jetës së 26-vjeçarit Xhesjon Zogu ka tronditur kolegët dhe të afërmit e tij, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur dinamikën e aksidentit tragjik.






