Një aksident rrugor ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Shkodrës. Një grua që po lëvizte me biçikletën e saj është përplasur nga një mjet. Nga sa mësohet gruaja është transportuar menjëherë drejt spitalit rajonal të Shkodrës. Mjekët i kanë dhënë ndihmën e parë dhe pas ekzaminimeve ka rezultuar se e aksidentuara është jashtë rrezikut për jetën.

Gruaja është përplasur nga një mjet tip fouristradë që po shkonte në drejtim të tregut në lagjen Rus ndërsa gruaja me biçikletë po vinte në drejtim të rrethrrotullimit të Rusit. Në vendngjarje menjëherë kanë mbërritur edhe forcat e policisë duke nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij aksidenti të ndodhur.

Edhe pak ditë më parë një tjetër shtetas që po lëvizte me biçikletë u përplas nga një shqiptar i Kosovës në qendër të qytetit në lagjen Parrucë. Në këtë mënyrë këto aksidente në zonat kryesore të qytetit të Shkodrës janë kthyer në një shqetësim pasi janë të shpeshta aq më tepër në këtë sezon veror kur edhe lëvizja është shumë më e madhe dhe trafiku më i rënduar.

Në disa raste ka patur edhe të plagosur rëndë apo aksidente me pasojë vdekjen. Kryesisht drejtuesit e mjeteve në këto raste të aksidenteve rrugore nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor apo edhe përdorin telefonin, janë nën ndikimin e alkoolit apo tejkalojnë

shpejtësinë mbi normat e lejuara duke sjellë më pas përplasjet në rrugë. Policia vendore e Shkodrës ka shtuar masat dhe kontrollet në shumë akse brenda qytetit por edhe në rrugë të tjera që cilësohen si njolla të zeza por sërish ndërgjegjësimi i drejtuesve të mjeteve është i ulët.

Artikulli paraprakVELIPOJA E PREFERUAR PËR TURISTËT E HUAJ: PLAZH SHUMË I MIRË
Artikulli tjetërSHKODËR, PROMOVOHET LIBRI “IKJA ËSHTË KTHIM”