
Babë e bijë humbën jetën pasi automjeti me të cilin po udhëtonin doli nga rruga dhe u përmbys në një kanal me ujë. Aksidenti tragjik ndodhi pasditen e së shtunës në aksin rrugor Lezhë–Gjadër, në afërsi të fshatit Gocaj, ndërsa viktimat janë Anton Keçi, 53 vjeç, dhe vajza e tij Bora Keçi, 20 vjeçe.
Ngjarja u zbulua në orët e vona të mbrëmjes, pas denoncimit të djalit të familjes për humbjen e kontakteve me babain dhe motrën e tij. Me marrjen e njoftimit, policia nisi kërkimet dhe gjatë kontrolleve, në fshatin Gocaj, në afërsi të fabrikës së çimentos, në një rrugë dytësore, u gjet automjeti i tyre i përmbysur në një kanal me ujë.Pas nxjerrjes së makinës tip “Benz” nga uji, rezultoi se në automjet ndodheshin pa shenja jete shtetasit Anton dhe Bora Keçi.
Nga veprimet paraprake të policisë bëhet me dije se automjeti drejtohej nga 20-vjeçarja, e cila ka humbur kontrollin, duke dalë nga rruga dhe përmbysur në kanal, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti.Sipas të dhënave, babë e bijë po ktheheshin nga kampi i emigrantëve në Gjadër, ku punonin me kohë të pjesshme. 53-vjeçari Anton Keçi ishte me profesion mjek dhe ushtronte prej vitesh detyrën e shefit të shëndetësisë në burgun e Shënkollit në Lezhë, ndërsa vajza e tij 20-vjeçare ishte studente në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë.






