
Policia e Shkodrës ka vënë në pranga drejtuesin e kamionit të përfshirë në aksidentin tragjik që i mori jetën një 78-vjeçari një ditë më parë në lagjen “Iliria”.
Në pranga ka rënë shtetasi 30-vjeçar Anxhelo Plaka, i cili akuzohet për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen. Viktima e këtij aksidenti është identifikuar si Haki Bajrami, 78 vjeç, i cili humbi jetën pasi u përplas nga mjeti i rëndë, teksa lëvizte në këmbë në anë të rrugës.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, arrestimi i drejtuesit të mjetit u bë në vijim të veprimeve hetimore të nisura menjëherë pas ngjarjes.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin në lagjen ‘Liria’, bëjmë me dije se specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin Anxhelo Plaka, 30 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale ‘Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor’, me pasojë vdekjen.”
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive për këtë aksident fatal.






