
PROKURORIA KA DALË NË PËRFUNDIMIN SE 43 VJEÇARI NDRECA ËSHTË PËRGJEGJËS I AKSIDENTIT. Prokuroria e Shkodrës ka kërkuar dënimin me 18 vjet burg për Prend Ndrecën 43 vjeç, i akuzuar për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e 5 të rinjve, ngjarje e ndodhur në 22 Tetor 2013 në aksin rrugor Shkodër-Lezhë. Në pretencën e saj Prokuroria në mbyllje të hetimeve ka krijuar bindjen si dhe paraqitur provat se personi i akuzuar është përgjegjës për vdekjen e 5 të rinjve.
Në bazë të hetimit, më 22 Tetor 2013 rreth orës 01.10 automjeti kamion “Man” me targa PU 1463 A, drejtuar nga Prend Ndreca me drejtim lëvizje KryeBushat- Tiranë është përplasur me automjetin BMË me targa SH 1818 E, me drejtim lëvizje Tiranë-Shkodër drejtuar nga Osman Meraja. Si pasojë kanë vdekur shtetasit Osman Meraja, Rael Duli 17 vjeç, Xheni Anamali 18 vjeç, Orlend Mreca 18 vjeç dhe Ledio Pinari po 18 vjeç, të cilët udhëtonin në mjetin BMË. Kështu bazuar në hetimet e kryera dhe verifikimin e provave, Prokuroria ka dalë në përfundimin se 43 vjeçari Ndreca është përgjegjës, duke e vënë nën akuzë për “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.