
Aksidenti i së shtunës në aksin Shkodër-Velipojë vijon që të jetë enigëm.
Ende drejtoria vendore e policisë së Shkodrës nuk ka arritur në asnjë konkluzion për të zbardhur aksidentin e çuditshëm. Ka qenë ora 22:00 kur në fshatin Trush në vendin e quajtur “Ura e Zanës” një mjet tip kraisler i hapur ka qenë duke shkuar nga Shkodra në drejtim të Velipojës. Makina sipas ekspertizës ka qenë duke ecur me një shpejtësi të madhe dhe në një moment ka devijuar. Edhe pse personi që ka qenë brenda saj ka frenuar, mjeti ka marrë me vete një pjesë të betonit të një bordure si dhe ka përfunduar brenda në kanal. Në pak sekonda mjeti ka marrë flakë duke u djegur plotësisht. Edhe pas nxjerrjes së makinës nga kanali dhe kontrollit në të gjithë zonën ku ndodhi aksidenti nuk është arritur që të gjendet asnjë person i aksidentuar. Deri në këto momente nuk ka ende asnjë informacion se si ka arritur që të dalë shoferi duke i shpëtuar këtij aksidenti që ngjan gati me skenat e filmave të Hollivudit. Ajo që dihet deri tani është targa e makinës dhe pronësia e saj. Burime pranë policisë së Shkodrës bëjnë me dije se mjeti i aksidentuar tip krasiler ngjyrë grih ka targën AA 613 BF dhe është në pronësi të shtetasit Ndue Ulaj nga Boga e Malësisë së Madhe. Ky person nuk ka qenë në makinë sepse prej viti ndodhet në burg. Burimet policore thonë se ekziston mundësia që shtetasi Ndue Ulaj ta ketë shitur makinën e tij. Kjo mbetet një dyshim për unfiromat blu. Pavarësisht rrethanave ende të paqarta të këtij aksidenti, policia po punon për zbardhjen e plotë dhe gjetjen e shoferit që po e drejtonte dhe nëse ka diçka që fshihet pas këtij aksidenti enigëm.






